3 mars 2020 – Grupi për Ballkan ka organizuar një trajnim për rrjetë sociale për gra deputete dhe asambleiste të kuvendeve komunale nga rajone të ndryshme të Kosovës. Trajnimi është dizajnuar me qëllim për t’u ofruar grave vendimmarrëse mjetet e duhura për të ngritur prezencën e tyre digjitale dhe për të vendosur komunikim më efektiv me publikun përmes mediave sociale.
Gratë deputete dhe asambleistet e kuvendit komunal patën mundësinë të mësojnë shembuj praktikë se si të përmirësojnë prezencën e tyre në internet përmes dy sesioneve. Në sesionin e parë, gratë vendimmarrëse u informuan për format dhe përkufizimet e ndryshme të mediave sociale, efektin e mediave sociale dhe qasjet ndaj rrjetëzimit dhe njohjes.
Gjatë sesionit të dytë, pjesëmarrësit u informuan për kanalet e komunikimit, identifikimin e audiencës dhe rritjen e pranisë së tyre përmes përmbajtjes së plasuar në rrjetet sociale. Trajnimi përfundoi me një debat konstruktiv midis pjesëmarrësve dhe trajnerit, Z. Oltion Beshiri, mbi praktikat më të mira që gratë vendimmarrëse mund të mësojnë nga kjo për të krijuar lidhje më të forta me bazën e tyre të votuesve.
Ky aktivitet është pjesë e projekti “Fuqizimi i rolit të grupit të grave deputete përmes bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të marrëdhënies me mediat” i financuar nga Fondi i Kanadasë për Iniciativa Lokale (CFLI) – një iniciativë e Qeverisë së Kanadasë.