Zaboravlјeni sporazum o carinskim pečatima

Dialogu teknik Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian filloi në Bruksel në mars 2011. Një ndër temat e para të shtruara, në dialogun e Brukselit, ishte ajo e vulave doganore. Kosova insistonte që Serbia të ia njohë vulat, kësisoj të ia lejojë eksportin e mallrave në Serbi dhe shfrytëzimin e territorit të saj si tranzit për mallrat që synim kishin tregun evropian dhe me gjerë. Në anën tjetër Serbia këmbëngulte që Kosova të rikthej “vulat e vjetra” – ato të UNMIK-ut.

Më 20 korrik 2011, Kosova nxori vendim që të mos njihte vulat doganore të Serbisë. Andaj, menjëherë pas korrikut dhe gushit të nxehtë, më 2 shtator 2011, në Bruksel u arrit Marrëveshja për Vulat Doganore. Serbia u dakordua që të hiqte nga përdorimi vulat paralele që përdoreshin nga strukturat e saj në veri për të mbi-vulosur dokumentet e Kosovës. Këto vula ishin të administratës tatimore të Serbisë, përmes të cilave një dërgesë me mallra nga Kosova mund të shkonte në Serbi. Kjo praktikë e përdorimit të vulave paralele pas një kohe u shua tërësisht. Ndërsa vulat që Kosova veçse kishte vendosur, nga viti 2008, me mbishkrimin ‘Doganat e Kosovës’ mbetën të pandryshuara dhe të tillla u pranuan zyrtarisht nga ana e Serbisë.

Marrëveshja për Vulat Doganore nënkuptoi fillimin e tregtisë së lirë, ku sikurse mallrat e Serbisë që do të vinin në Kosovë pa ndonjë pengesë edhe ato të Kosovës do të shkonin andej, si edhe do të përdornin territorin e Serbisë si tranzit për tregun evropian. Marrëveshja pa dyshim se ka pasur ndikim të madh në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, meqë pos tjerash është në frymën e standardeve evropiane për tregti të lirë, që parashihen edhe me zotimet e CEFTA-s. Ajo i mundësoi Serbisë zgjerimin e tregtisë me Kosovën, ndërsa bizneset nga Kosova përfituan mundësi të eksportit në Serbi dhe qasje më të lehtë në tregun evropian.

Një ndër kompanitë kosovare që kishte eksportuar produkte në Serbi është Fabrika e Çimentos, “Sharrcem” që gjendet në Han të Elezit. Menaxheri i shitjes në këtë kompani, Naxhid Raka, kishte deklaruar: “Ne kemi eksportuar me dokumente të vjetra dhe ky eksport ka shkuar përmes një kompanie të regjistruar në UNMIK”. Pas arritjes së kësaj marrëveshje, kompanitë kosovare eksportojnë pa pasur nevojë që të përdorin rrugë dytësore në aspektin e dokumentacionit, sikurse në rastin në fjalë, apo edhe të shkojnë dhe të vulosnin dokumentet pranë zyrave paralele.

Me futjen në fuqi të marrëveshjes, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e eksportit të Kosovës drejt Serbisë është rritur nga viti në vit. Në vitin 2013 eksporti kosovar kishte vlerën rreth 19.5 milion euro, ndërsa vlera e tij është rritur vazhdimisht ndër vite. Në vitin 2016 vlera e eksportit arriti në 39.7 milion, ndërsa në vitin 2017 ajo arriti në rreth 46.3 milion euro. Vlera e eksportit në vitin 2018 u zvogëlua në rreth 31.9 milion euro, si rezultat i vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikim të tarifës 100% ndaj mallërave me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hezegovina.

Rëndësia e marrëveshjes ishte më shumë te fakti se ajo i mundësonte Kosovës përdorimin e territorit të Serbisë për eksport drejt tregut evropian. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës vlera e mallrave që kanë kaluar si tranzit nëpër territorin e Serbisë me destinim për tregun evropian është rritur vazhdimisht. Në vitin 2013 vlera e tyre ishte rreth 26.8 milion euro, ndërsa në 2018 vlera e mallrave arriti në rreth 92.2 milion euro.

Menjëherë pas fillimit të zbatimit të marrëveshjes, që nënkuptonte largimin e masës së ndalimit të mallrave nga Serbia, z. Shkelzen Osmani, shef i degës doganore në Merdare, kishte deklaruar se numri i dërgesave që vinin nga Serbia kishte arritur në 264 maune: “Shumë mallra po hyjnë. Tash ka arritur numri në 264 maune prej që kur janë hequr masat. Po hynë kryesisht materiale ndërtimore, madje ka edhe grurë, sojë, misër, ujë të pijes, prodhime plastike, gjedhe të gjalla, ngjyra, katalizatorë e të tjera”.

Pavarësisht sfidave dhe mangësive marrëveshja iu dha palëve mundësi që të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre tregtare dhe i hapi rrugë arritjes së Marrëveshjes për Themelimin e Fondit Zhvillimor për katër komunat e veriut të Kosovës. Me arritjen e marrëveshjes, Parlamenti i Kosovës, në Ligjet vjetore të Buxhetit të Kosovës ka paraparë që të gjitha paratë publike të mbledhura nga mallrat e importuara nga bizneset e regjistruara në Mitrovicën Veriore, Zubin Potok, Leposaviq apo Zveçan, të cilat janë të destinuara për konsum në këto komuna, të cilat  hynë në Kosovë përmes pikave doganore në Jarinjë ose Bërnjak duhet të dërgohen në Fondin e Kosovës. Mjetet e buxhetuara në Thesar për këtë qëllim, transferohen në komunat përfituese, bazuar në miratimin e projekteve specifike nga ana e Bordit Menaxhues të Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit.

Me këto mjete të inkasuara filluan të bëhen investime përmes projekteve zhvillimore për komunitetin. Siç është raportuar, deri në fund të 2018 ishin mbledhur rreth 20 milion euro. Prej tyre, Bordi Menaxhues i Fondit kishte përkrahur 30 projekte zhvillimore ekonomiko-sociale për katër komunat e pjesës veriore të cilat e arrinin shumën e mbi 11 milionë eurove.

Sot, marrë parasysh që dialogu i lehtësuar nga BE-ja është ndalur dhe meqë Kosova në nëntor të 2018-ës ka vendosur të aplikojë tarifë prej 100% për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka një çakordim të marrëdhënieve tregtare në mes të dy vendeve. Si pasojë, shkalla e inflacionit në muajin mars 2019, në krahasim me muajin mars 2018 është 3.3 përqind. Kurse vlera e eksportit dhe importit të mallërave nga Serbia ka pësuar rënie.

Pavarësisht progresit apo jo në zgjidhjen e çështjeve politike, Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë të zgjedhin çështjet teknike. Theksi kryesor duhet të jetë në çështjet praktike që ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve; vulat doganore ishin njëra prej tyre.  Implementimi i Marrëveshjes pë Vulat Doganore së bashku me atë për Lëvizjen e Lirë kanë lehtësuar qarkulimin e njerëzve dhe mallrave në vendet e rajonit dhe ato të BE-së.

Ky publikim është botuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë – Serbi, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

[custom-twitter-feeds feed=1]