Kthimi i besimit në dialog

Imer Mushkolaj

Një ndër sfidat më të mëdha për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet kthimi i besimit në proces për qytetarët e të dyja vendeve. Është vështirë t’i bindësh qytetarët se marrëveshjet e arritura do t’iu shërbejnë atyre, kur në praktikë ato nuk implementohen.

Mosbesimi, mungesa e transparencës dhe frika e kanë karakterizuar që nga fillimi procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pavarësisht se që në nisje të tij ishte thënë se dialogu në radhë të parë po bëhej për të përfituar qytetarët, më pas procesi u kthye në përplasje për përfitime politike të njërës ose tjetrës palë, duke lënë në mëshirë të fatit plot marrëveshje të arritura me ndërmjetësimin e Brukselit.

Mjafton të përmenden dy nga marrëveshjet e arritura, për të parë se si procesi i dialogut më tepër ka shërbyer si parullë politike, sesa që iu ka shërbyer vërtet qytetarëve dhe ua ka lehtësuar jetën atyre.

Marrëveshja për revitalizimin e urës në Mitrovicë është nënshkruar në  korrik të vitit 2014. Pra, për pak muaj bëhen shtatë vjet që kur ujdia është arritur, por ura nuk është përfunduar plotësisht. Andaj, është vështirë t’i bindësh qytetarët se marrëveshjet e arritura do t’iu shërbejnë atyre, kur në praktikë ato nuk implementohen.

Përderisa nga revitalizimi i urës do të përfitonin qytetarët që jetojnë në Kosovë, nga një marrëveshje tjetër do të përfitonin edhe qytetarët e Kosovës por edhe ata të Serbisë. Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare është nënshkruar para gati një dekade, më 2 korrik 2011, por ende nuk është implementuar. Pra, diplomat e lëshuara nga institucionet universitare të Kosovës nuk njihen në Serbi, ndërkohë që Kosova megjithatë ka bërë disa hapa përpara në këtë drejtim.

Sipas palëve të përfshira në proces, marrëveshjet e nënshkruara nën lehtësimin e zyrtarëve të Brukselit, synojnë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Sidoqoftë asnjëherë nuk është shpjeguar qartësisht se çfarë nënkupton ky normalizim, dhe për më tepër, palët -jo rrallë herë- kanë ndërmarrë veprime që çojnë jo drejt normalizimit, por drejt përkeqësimit të raporteve. Në këtë situatë, ka ndikuar për të keq edhe interpretimi “sipas dëshirës” që i është bërë marrëveshjeve të arritura dhe gjithçkaje tjetër rreth dialogut.

Instituti Demokratik i Kosovës në një raport të vitit të kaluar – që analizonte shtatë vitet pas marrëveshjes së parë të normalizimit (Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013) – e ka parë të domosdoshme që marrëdhënia eventuale përfundimtare ndërmjet të dyja vendeve të evitojë “ambiguitetin konstruktiv”, në mënyrë që palëve të mos iu lejohet interpretimi i ndryshëm që mund të çojë në moszbatim të marrëveshjeve.

Po sipas këtij raporti, mungesa e mekanizmave garantues dhe mbikëqyrës të zbatimit të marrëveshjeve, si dhe mungesa e vullnetit politik të palëve për zbatimin e tyre, i ktheu një pjesë të marrëveshjeve në dokumente të pazbatuara.

Qasja e palëve të përfshira në dialog ka qenë e atillë që të fajësojë të tjerët për mungesën e rezultateve në praktikë. Ndërkohë që mungesa e transparencës mbi procesin e implementimit të marrëveshjeve ka bërë që në publik të ngrihen dyshime. Sipas raportit “Marrëveshjet e dialogut teknik Kosovë-Serbi: Përshtypjet në terren”, publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në shkurt të vitit 2020, pjesa dërmuese e respondentëve në Kosovë e Serbi nuk kishin njohuri për përmbajtjen e këtyre marrëveshjeve. Madje, shumica besonin se dialogu i deritashëm nuk ka qenë i dobishëm për qytetarët.

Këto të dhëna do të duhej të ishin këmbanë alarmi për të gjithë ata që me çdo kusht duan ta çojnë dialogun përpara, pa marrë parasysh se çfarë është arritur ndërkohë.

Natyrisht, dialogu nuk ka alternativë, por është e domosdoshme që para se të shkohet tutje, të vlerësohet implementimi i secilës marrëveshje veç e veç, të adresohen pengesat dhe përgjegjësitë dhe të propozohen zgjidhje të duhura. Çdo përpjekje për të vazhduar dialogun me çdo kusht, pa një përgatitje të nevojshme dhe nga pozicione triumfaliste të palëve, do të nënkuptonte proces të padobishëm.

Gjithçka duhet të zhvillohet me transparencë. Duhet të bëhet e qartë agjenda dhe hapat që do të çonin në fund, duke mos iu lënë hapësirë teorive konspirative. Pra, duhet sqaruar gjithçka, nëse dëshirohet që gjithçka të pranohet më lehtë.

Nuk duhet të ndodhin takime vetëm sa për të thënë, vetëm sa për të krijuar një përshtypje të rreme se gjithçka është në rregull. Përmbajtja e jo forma e dialogut është e rëndësishme, përtej qëllimeve që mund t’i kenë palët për t’u paraqitur si fitues.

Përndryshe, mosbesimi i thellë në mesin e qytetarëve do të mbetet dhe do të jetë shumë vështirë që të arsyetohet një marrëveshje finale që pritet të arrihet në fund të procesit. Tekefundit, nëse nuk është implementuar marrëveshja për revitalizimin e një ure, si të besohet se rezultati final do të jetë ndërtimi i një ure të fortë ndërmjet dy popujve dhe dy vendeve?!

Ky shkrim fillimisht është shkruar në Gjuhën Shqipe.

Ky shkrim financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë në pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

[custom-twitter-feeds feed=1]