Krasniqi: Vizita e përfaqësuesve të ShBA-së, mesazh i qartë se e mbështesin dialogun

Përfaqësuesi Special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, së bashku me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit, Matt Palmer, do ta vizitojnë sot Kosovën.

Të dy pritet të takohen me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe liderët e partive të Kosovës.

Njohësit e çështjeve politike vizitën e tyre e shohin si vizitë të rëndësishme për vendin.

Jeta Krasniqi nga KDI, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se vizita e tyre dëshmon që ShBA-të janë të përkushtuara që të rifillojë dialogu menjëherë pas formimit të qeverisë.

“Gjatë takimeve të cilat ata do t’i zhvillojnë sot në Kosovë dhe nesër në Serbi patjetër që do të diskutohet çështja e dialogut. Këtë e kanë bërë më së qarti edhe nga deklarimet që ShBA-të janë të interesuara që sapo të formohet qeveria të rifillojë procesi i dialogut Kosovë-Serbi, diskutimet për një marrëveshje eventuale mes dyja palëve.Kemi parë që një afat kohor që është diskutuar për këtë proces ku do të diskutohet dhe mundësisht të përmbyllet ka të bëjë edhe me zgjedhjet e përgjithshme të cilat i kanë në Serbi, në pranverën e ardhshme”, ka thënë ajo duke shtuar mesazhi i të dy zyrtarëve do të jetë që do ta mbështesin procesin e dialogut.

“Ata do të vijnë të shohin në takime qoftë me Presidentin Thaçi, apo me liderët tjerë politikë qëndrimet e tyre rreth këtij procesi, duke parë mundësinë që palët të rikthehen sa më parë në tyrezen e dialogut. Ne jemi duke parë në vazhdimësi që ka një presion, por edhe një mbështetje nga ana e ShBA-së rreth procesit të dialogut. Pala kosovare në vazhdimësi ka kërkuar që ShBA-të të jenë të përfshira në dialog, tani ne kemi mbështetjen e aleatëve tanë, mirëpo duhet të dimë si shtet që ta kthejmë këtë mbështetje në aspektin tonë pozitiv”, ka theksuar ajo.

Krasniqi ndër të tjera ka thënë se përfaqësuesit e Kosovës duhet ta ndërtojnë një qëndrim unik dhe të përcaktojnë çfarë po duan në mënyrë që sipas saj të lobojnë për atë qëndrim.

“Në të kaluarën nuk kemi parë që mbështetjen ndërkombëtare e kemi kthyer në interes tonin, pasi që presidenti Thaçi ka pasur një tezë tjetër nga ajo që është proklamuar nga ana e qeverisë. Kjo patjetër që e ka dëmtuar pozitën tonë. Pra duhet të dimë që mbështetjen ndërkombëtare ta kthejmë në interesin tonë sepse përmbyllja e procesit të dialogut është në interes tonin po ashtu. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të vrapojmë pas një marrëveshje çfarëdo por, insistimi ynë duhet të jetë që kjo marrëveshje të jetë në interes të shtetit të Kosovës, të qytetarëve të saj dhe një marrëveshje që e forcon edhe më tepër Kosovën në arenën ndërkombëtare”, është shprehur ajo.

Analisti Naim Rashiti në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se të dërguarit e ShbA-ve do të kërkojnë të dinë se çfarë ekipi gjithëpërfshirës do të krijojnë Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Kurti.

“Të dërguarit e ShBA-ve do të testojnë vullnetin e të gjithë aktorëve për dialogun dhe për bashkëpunim mes tyre. Ata do të kërkojnë të dinë se çfarë ekipi gjithëpërfshirës Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Kurti do të krijojnë”, ka shkruar Rashiti në Facebook.

Ndryshe ambasadori Richard Grenell dhe përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit, Matt Palmer do të takohet me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ora 13:00. Ndërsa pasdite pritet që të dy të takohen me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti./Telegrafi/



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

[custom-twitter-feeds feed=1]