Konferenca – Ndërtimi i shteteve më të fuqishme në Evropën Juglindore: Fuqizimi i sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, në partneritet me Institutin CEPS nga Brukseli

7 shkurt 2019 – Grupi për Ballkan në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Politikave Evropiane (CEPS) organizoi konferencën “Ndërtimi i Shteteve më të Fuqishme në Evropën Juglindore: Fuqizimi i Sundimit të Ligjit, Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve“.

Si rezultat i lansimit të strategjisë së re për zgjerim nga Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor, Grupi për Ballkan organizoi këtë konferencë me qëllim të adresimit dhe inkurajimit të debatit mbi tema të tilla si sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisja e mirë, si prioritetet më të mëdha për Ballkanin Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE.

Tre panelet e konferencës mbuluan tema si: efektiviteti i politikave të Bashkimit Evropian për fuqizimin e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, sfidat e sundimit të ligjit brenda BE-së dhe politikat  për romët nga një perspektivë e të drejtave dhe migracionit. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues nga akademia, institucionet shtetërore, shoqëria civile, si dhe studentë. Përveç kontribuesve nga CEPS-i, konferenca gjithashtu angazhoi ekspertë të fushave të ndryshme nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Hungaria, Ukraina, Polonia dhe Moldavia.

Panelet kanë shërbyer si mjete për të përafruar hendekun në mes të bërjes së politikave dhe opinionit të ekspertëve, si dhe për të kuptuar në tërësi mekanizmat që nxisin ndryshimin e këtyre politikave. Përderisa hulumtuesit e CEPS-it paraqitën një numër të sfidave teorike në kornizën e politikave, aktorët e angazhuar në hartimin e politikave, siç janë përfaqësuesit e BE-së, ndanë me pjesëmarrësit implikimet praktike në adresimin e çështjeve politike.

Në fjalimin hyrës, Naim Rashiti, Drejtor Ekzekutiv i Grupit për Ballkan theksoi dy sfida kryesore:

1. Shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe shtetet e Evropës Juglindore vazhdojnë të rrisin komunikimin dhe bashkëpunimin me BE-në. Megjithatë, ka rritje të dallimeve në mënyrën e të kuptuarit të arritjeve dhe standardeve. Qeveritë e vendeve të cilat aspirojnë t’i bashkohen BE-së besojnë se BE-ja nuk vlerëson progresin dhe reformat të cilat janë ndërmarrë, e të cilat për BE-në duket të jenë të pamjaftueshme dhe shpesh sipërfaqësore. Këto dy interpretime të ndryshme po krijojnë një vorbull të ri konfuzioni dhe rrezikojnë të bëhen edhe më të mëdha në kontekstin e procesit të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.

2. Sfida tjetër vjen nga brendia e BE-së. Regresi i shpejtë i paparashikuar, si dhe i padukshëm më herët në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe të drejtat themelore brenda BE-së, kanë çrregulluar në mënyrë të veçantë sistemin e qeverisjes së BE-së dhe vizionin e saj. Kjo është duke ndikuar në riorganizimin e brendshëm të BE-së në raport me vendet që aspirojnë t’i bashkohen asaj. Këto probleme brenda BE-së jo vetëm që kanë dobësuar seriozisht qasjen e BE-së ndaj të tjerëve, por gjithashtu e kanë minuar procesin e përafrimit. Njerëzit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të zonave fqinje nuk janë në dijeni të problemeve brenda BE-së dhe ndikimit që do të kenë në të ardhmen e tyre në BE. Këto dy probleme themelore do të nxisin dinamikën e integrimit në BE dhe marrëdhëniet në mes të BE-së dhe Evropës Juglindore.

Paneli mbi “Efektivitetin e politikave të BE-së për fuqizimin e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor” trajtoi disa nga çështjet kryesore në lidhje me efektivitetin e politikave të BE-së për fuqizimin e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, si dhe procesin e integrimit. Steven Blockmans, Udhëheqës i Njësisë së Politikave të Jashtme të BE-së në CEPS theksoi se “BE-ja dhe shtetet anëtare nuk kanë duke ofruar shembuj të mirë të qeverisjes ; shumë vende të BE-së po vuajnë në përgjithësi nga aspekte të dobësimit të sundimit të ligjit”. Përveç kësaj, Blockmans shtoi se “mekanizmi diplomatik i BE-së është i dobët në zbatimin e kushtëzimeve mbi çështjet e sundimit të ligjit”.

Artan Grubi, Kryetar i Komisionit për Çështje të BE-së në Republikën e Maqedonisë Veriore paraqiti një pasqyrë të përpjekjeve të këtij vendi për fillimin e bisedimeve për integrimin në BE dhe theksoi rolin e BE-së “si një busull e cila ndikoi në promovimin e forcave progresive brenda Maqedonisë Veriore”. Më tutje, z. Grubi theksoi se “BE-ja luan një rol integral në zhvillimin e suksesshëm të të gjitha vendeve të Evropës Juglindore, ku Maqedonia Veriore përbënë një histori suksesi të reformave të BE-së”.

Felix Rathje, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, theksoi se “përparim mund të ketë, por kapja e shtetit mund të çojë në kthim mbrapa”, i cili tutje shpjegoi se si progresi i përgjithshëm nuk ka qenë aq i shpejtë në procesin e zgjerimit. Përveç kësaj, z. Rathje argumentoi se “kërkohet pronësi dhe zotim nga Ballkani Perëndimor për të sjell transformim thelbësor”. Ai më tej tha se “mjetet e BE-së janë më pak të hapura për Kosovën në këtë fazë të procesit, dhe se Kosova mund të përfitojë nga kjo agjendë reformash”.

Sergio Carrera, Hulumtues i Lartë dhe Udhëheqës i Njësive për Drejtësi dhe Çështje të Brendshme në CEPS, bëri një prezantim mbi Sfidën e Sundimit të Ligjit në BE. Z. Carrera deklaroi se “BE-ja duhet të punojë në pakon e mjeteve të saj për adresimin e çështjeve mbi sundimin e ligjit dhe të tregohet më e qëndrueshme në përdorimin e tyre. Është në interesin e të gjithëve që qeveritë tona të jenë në përputhje me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore “.

Paneli mbi “Erozionin e sundimit të ligjit në Evropë: Sfidat dhe përgjigjet” nxiti diskutime mbi ngjarjet të cilat po ndodhin brenda BE-së, veçanërisht në Hungari dhe Poloni, si dhe mjetet e BE-së të cilat adresojnë këto sfida. Prezantimet u përqendruan në sfidat e sundimit të ligjit para dhe pas pranimit, siç është besimi reciprok në drejtësinë penale, anti-korrupsioni, liria e mediave dhe roli i aktorëve të shoqërisë civile. Në këtë panel, kontribuesit nënvizuan se si sigurimi i respektimit të sundimit të ligjit është një prioritet ndër-sektorial në një sërë fushash të politikave.

Judit Bayer, Profesoreshë e Medias dhe e Drejtës Ndërkombëtare në Shkollën e Biznesit të Budapestit në Hungari, theksoi disa nga elementët kryesorë të kapjes së shtetit në Hungari duke përfshirë: përdorimin e burimeve shtetërore si burime partiake, transformimin e kodit zgjedhor, përkeqësimin e strukturës kushtetuese mbi kontrollet dhe balancimin e pushtetit, mungesa e pavarësisë gjyqësore, retorika nacionaliste, propaganda mediatike që mbështetë qeverinë dhe partinë qeverisëse, dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes ndaj pakicave, emigrantëve dhe grupeve të margjinalizuara.

Małgorzata Szuleka, Juriste dhe Hulumtuese nga Fondacioni i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Poloni, theksoi se “mjetet e mbikëqyrjes së Bashkimit Evropian luajnë një rol të rëndësishëm në nxitjen e ndryshimeve pozitive në kontekstin e erozionit të sundimit të ligjit në Poloni. Mirëpo, në të njëjtën kohë, përpjekjet e BE-së për të instaluar kornizat e sundimit të ligjit dështuan pasi nuk kishte pothuajse asnjë angazhim nga qeveria”. Ajo më tej deklaroi se “OSHC-të kanë luajtur një rol integral në mbrojtjen e kushtetutës dhe zbatimin e demokracisë pjesëmarrëse në Poloni”.

Denis Cenusa, ekspert i asociuar nga Think Tank Expert-Grupi i Moldavisë, theksoi se ”Mjetet e BE-së për promovimin e liberalizimit të vizave në mënyrë të kushtëzuar quan drejtpërdrejt në miratimin e legjislaturës kundër diskriminimit”.

Paneli mbi “Përfshirjen dhe migrimin e romëve: çfarë roli për BE?” u përqendrua në politikat e romëve nga një perspektivë e të drejtave dhe migracionit, si dhe rolin e BE-së në promovimin e politikave gjithëpërfshirëse.

Simonida Kacarska, drejtoreshë e Institutit të Politikave Evropiane në Shkup, theksoj se “të drejtat e minoriteteve mbeten një çështje thelbësore në kontekstin e sfidave të liberalizimit të vizave”. Znj. Kacarska theksoi se “pas liberalizimit të vizave, masat e shtetit rezultuan në numrin më të lartë të qytetarëve të cilët nuk u lejuan të largohen nga vendi, ku pothuajse të gjithë i përkisnin etnisë rome”.

Danilo Smolovic, eksperti i politikave në projektin Integrimi i Romëve 2020 në Serbi, theksoi rëndësinë dhe nevojën për “të pasur avokim efektiv në krijimin e të dhënave për popullsinë rome në mënyrë që të adresohen nevojat e tyre dhe të sigurohet planifikim buxhetor efektiv mbi çështjet e romëve”.

Stefano Gnocchi, përfaqësues i zyrës së BE-së në Kosovë, nga ana tjetër, theksoi se “racizmi ndaj romëve dhe grupeve të tjera të ngjashme, si dhe vështirësitë ekonomike janë shkaktarët kryesorë të migrimit. Ndërsa, Parlamenti Evropian duhet të mendojë për një mënyrë se si do ta adresojë këtë në të ardhmen “.

Stephan Muller, këshilltar i jashtëm i Këshillit Qendror të Sintëve dhe Romëve Gjerman në Gjermani argumentoi se është e rëndësishme të thuhet se “racizmi ndaj romëve dhe grupeve të tjera të ngjashme si shkaktar kryesor i diskriminimit dhe përjashtimit të romëve dhe migrimit të tyre është pasojë e drejtpërdrejtë. Politikat pjesëmarrëse dhe riintegruese të romëve duhet të marrin parasysh luftën kundër racizmit të romëve dhe grupeve të tjera të ngjashme në mënyrë që të ketë një ndikim të qëndrueshëm “.

Konferenca u organizua në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Politikave Evropiane dhe ishte pjesë e edicionit të dytë të Programit për Fellowship ENGAGE, i koordinuar nga CEPS-i me mbështetjen e Iniciativës së Shoqërisë së Hapur për Evropën (OSIFE).



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

[custom-twitter-feeds feed=1]