The best (wo)man for the job {Gruaja më i (e) mirë për punën}

“Synimi për të pasur më shumë gra në politikë nuk është që të ketë më pak burra në politikë, por që të ketë një shoqëri më të barabartë për të gjithë.”

Artmir Ibra, Fitues i Konkursit për Ese

I

            Që një shoqëri të ketë fuqizim, zhvillim dhe barazi të grave me burrat, ajo shoqëri duhet të ofrojë të gjitha mundësitë për përmirësimin e kësaj situate respektivisht  për arritjen e barazisë gjinore. Me konceptin ‘shoqëri me barazi gjinore’ ne mund të kuptojmë gjendjen ose shoqërinë në të cilën gratë dhe burrat janë anëtarë të barabartë dhe gëzojnë mundësitë që të jenë pjesë e jetës politike, ekonomike, sociale, kulturore sipas dëshirës dhe vendimit të tyre. Ky koncept poashtu përmban ë idenë se gratë dhe burrat duhet të ndajnë përgjegjësinë së bashku, në të gjitha sferat e vendimmarrjes në shoqëri. Një shoqëri e barabartë në gjini është një shoqëri e ndërtuar nga burrat dhe gratë si partnerë të barabartë.[1]

            Pjesëmarrja e grave dhe burrave në jetën publike, dhe përfaqësimi i drejtë është jetik për barazinë gjinore dhe për shoqërinë tonë në përgjithësi. Përfaqësimi i barabartë është domosdoshmëri demokratike për vendin tonë, duke pasur parasysh numrin e votueseve gra, dhe rolin që kanë ato në vendimmarrje. Një përfaqësim i barabartë do të përmirësonte rezultatin e politikave në përgjithësi, do të përmirësonte ligjshmërinë dhe kualitetin e demokracisë, e poashtu edhe transparencën, duke pasur parasysh marrjen e vendimeve me konsultimin e të gjitha kategorive.

            Secili prej nesh duhet të fillojë nga paragjykimet që kemi për rolet gjinore në shoqërinë tonë- t’i largojmë apo ndërrojmë ato- dhe pastaj të ndërtojmë një shoqëri ku burrat dhe gratë marrin pjesë në mënyrë të barabartë në familje, shoqëri, punë dhe politikë. Është detyra e secilit prej nesh të fillojmë ndryshimin duke pasur barazinë në mendje, dhe duke respektuar të gjitha instrumentet ligjore që janë vënë në dispozicion, në mënyrë që nënat, gratë dhe vajzat tona, të avancojnë dhe të jenë vendimmarrëse në politikat tona qeverisëse.

II

            Fuqizimi i grave dhe barazia gjinore nuk janë vetëm të drejta bazike njerëzore, ato janë gjithashtu të domosdoshme për arritjen e një zhvillimi që do t’i përfshinte të gjithë, një zhvillim i qëndrueshëm, dhe me mundësi të barabarta për të gjithë. Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje është faktor kyç për arritjen e këtij qëllimi, dhe kjo pjesëmarrje duhet të fillojë nga partitë politike. E drejta e grave për të marrë pjesë në jetën politikë është e garantuar nga disa konventa ndërkombëtare, të inkorporuara edhe në Kushtetutën e shtetit tonë.[2] Parlamenti i Kosovës ka aprovuar edhe Ligjin për Barazinë Gjinore[3], Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimit[4], e poashtu ka promovuar kuotën gjinore, si një masë që do të inkurajoj pjesëmarrjen e grave në jetën politike dhe vendimmarrje. Kjo siç duket nuk ka dhënë rezultatet e pritura, pasi që problemi është më i thellëe shoqëria duhet të bëjë më shumë.

            Duke qenë se gratë zënë më pak se 20% të vendeve parlamentare të botës, është e qartë se partitë politike duhet të bëjnë më shumë, dhe duhen ndihmuar në këtë përpjekje, për ta mbështetur fuqizimin politik të grave.[5] Partitë politike, si faktor i rëndësishëm për promovimin e kandidatëve të rinj për pjesëmarrje në zgjedhje, dhe për përcaktimin e politikave të vendit, duhet të ndërrojnë pikëpamjen për përfshirjen e grave në politikë.  Këtu e kemi fjalën posaçërisht për përfshirjen e grave në postet vendimmarrëse shtetërore, e jo pozitat partiake të cilave pas zgjedhjeve u zbehet rëndësia. Gratë nuk marrin mbështetje të mjaftueshme nga partitë politike, për avancimin e tyre në pozitat vendimmarrëse.  Një raport i Balkans Policy Research Group ka publikuar informata rreth përfaqësimit të grave në pozita të larta vendimmarrëse, me përqindje jashtëzakonisht të ulët: 11.9% në vitin 2018. [6]Gjithashtu ky raport nënvizon se rritja e numrit të grave që mbajnë pozita vendimmarrëse nga vitet paraprake në Qeveri, është e parëndësishme, pasi që Qeveria ka krijuar ministri shtesë duke mos përshirë numër më të madh të grave.[7]

III

            Që të jemi të aftë të prodhojmë një zgjidhje për të penguar jo-barazinë dhe diskriminimin gjinor në shoqërinë tonë, dhe veçanërisht në vendimmarrjen politike të vendit tonë, duhet së pari që të njohim sfidat dhe pengesat që kjo kategori e shoqërisë hasë në rrugëtimin e tyre për barazi. Duke filluar nga sistemi dhe kultura aktuale politike në Kosovë,e cila përjashton femrat, jo vetëm nga emërimet në pozita vendimmarrëse por edhe nga biseda dhe debati për caktimin në këto pozita. Faktor i rëndësishëm ky, i cili tregon se partitë në Kosovë kanë rrugë të gjatë për demokratizimin e tyre të brendshëm; Mungesa e respektimit të Ligjit për Barazi Gjinore nga institucionet publike, përbën pengesën e radhës me të cilën gratë ballafaqohen. Kuota gjinore (30%) e promovuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk është në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore.[8] Mos zbatimi i Ligjit Kundër Diskriminimit në Punësim dhe Ligjit të Punës, duke marrë parasysh faktin që gratë janë një kategori e ndjeshme e këtyre ligjeve, është një faktor i rëndësishëm që duhet të merret parasysh; Përveq këtyre problemeve, gratë në shoqërinë kosovare ballafaqohen vazhdimisht me stigmatizim, marrë parasysh kulturën patriarkale që vazhdon të mbizotërojë në politikën kosovare.

            Kosova si vend në zhvillim, dhe poashtu si vend në prag të zgjedhjeve, ka mundësinë ideale që të përditësojë, promovojë dhe ndryshojë politikat e saj lidhur me përfaqësimin dhe fuqizimin e grave. Marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, nga të cilat një grua u bë kryetare e Parlamentit të Kosovës, shoqëria nuk duhet ta humbasë këtë momentum, dhe pikërisht gratë të cilat janë apo do të vijnë në pozita vendimmarrëse, të promovojnë dhe avancojnë agjenda për fuqizimin e grave. Ka shembuj nga e gjithë bota, dhe veçanërisht nga vende në zhvillim, se si ky problem mund të tejkalohet, dhe nga kjo, shoqëria jonë mund të përfitojë shumë. Praktika të mira për krijimin e themeleve të barazisë gjinore duhet të fillohen nga institucionet ligjore. P.sh. Kosta Rika ka themeluar një Zyrë të Prokurorit për Barazi Gjinore, [9]ose Ligji për Barazi Gjinore në Suedi. Trajtimi i barazisë gjinore duhet të fillohet edhe nga partitë, duke inkorporuar trajtimin e barazisë gjinore në rregulloret e brendshme dhe përfshirjen e kuotës gjinore në secilën degë lokale. Fokus special duhet të ketë financimi i grave në fushatat politike, faktor i rëndësishëm ky i cili ka penguar vazhdimisht pjesëmarrjen e grave në zgjedhje. Kjo do të rezultojë me një këndvështrim ndryshe të barazisë gjinore në zhvillimin e politikave shtetërore.

            Përfshirja e grave në politikë dhe fokusi në këndvështrimin e tyre, janë kushte për zhvillim demokratik. Partitë politike mund të përfitojnë mjaftë nga promovimi dhe fuqizimi i grave, pasi që kjo mund të rezultojë në krijimin e anëtarëve dhe bazave të reja të mbështetjes, si dhe rritjen e buxhetit të tyre nga fondet publike të cilat do të ishin të destinuara për anëtaret gra.

IV

            Mbështetja zyrtare nga të gjitha institucionet tona, është mëse e nevojshme për të kapërcyer pengesat e pjesëmarrjes së grave në politikë. Kosova ka vërtetuar se të kesh një shef shteti grua, është një gjë që veçanërisht vendet në zhvillim e kanë të nevojë. Promovimi i të drejtave të grave, barazia gjinore dhe të gjitha çështjet që lidhen me këtë temë, më së miri avancohen nga qasja ‘top-down’ (lartë-poshtë), dhe kjo duhet të vazhdojë veçanërisht pas zgjedhjeve. Shoqëria jonë duhet të promovojë pjesëmarrjen e barabartë, dhe vendimmarrjen e gruas në të gjitha institucionet, duke përfshirë kuvendin, gjyqësorin, komunat, dhe mos të ketë fokusin vetëm në qeverinë qendrore. Kosova si shtet i ri dhe multi-etnik, duhet të promovojë veçanërisht barazinë e gruas në të gjitha komunitetet. Gratë nga shumica shqiptare, por edhe gratë nga komunitetet jo-shumicë, duhet të kenë vëmendje dhe mundësi të jashtëzakonshme, duke pasë parasysh trajtimin e tyre nga shoqëria gjatë viteve. Kosova duhet të jetë vendi i cili duhet ta përditësojë shprehjen “The best man for the job”, në “The best woman for the job”. [10]Është koha që gruaja Kosovare të jetë faktor kyq për epokën e re të zhvillimit në Kosovë. Nënat tona kanë vërtetuar më së miri qëndrueshmërinë e tyre gjatë historisë sonë të trazuar, tani është koha që ato të kenë mundësinë e barabartë në vendimmarrje. Ato vazhdimisht vërtetojnë thënien:

            “Një  grua është si një bustinë çaji- ti asnjëherë nuk  e di sa e fortë është ajo deri sa e vendos në ujë të nxehtë” [11]


Mohimi i përgjegjësisë: Pikëpamjet dhe analizat e shprehura në këtë raport janë vetëm të autorit, dhe ato nuk reflektojnë pikëpamjet e donatorëve.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Barazia gjinore në Kosovë: Fuqizimi i Grave dhe Vajzave – Një thirrje për ndryshim” i financuar nga Fondi i Iniciativave Lokale të Kanadasë (CFLI) – një nismë e Qeverisë së Kanadasë”.


[1] Cfarë duhet të dimë për Barazinë Gjinorë në Kosovë - ZKM, ABGJ - Prishtinë, Maj 2018
[2] Kushtetuta e Kosovës https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=3702
[3] LIGJI NR. 05/L-020 per Barazi Gjinore https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=10923
[4] LIGJI NR. 05/L -021 per mbrijtjen nga diskriminimi https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=10924
[5] Fuqizimi i Grave për Parti Politike më të Forta - NDI, UNDP- Shkurt, 2012
[6] Balkans Policy Research Group, Gratë në Politikë: (Pa)Barazia Gjinore në Politikë dhe Vendimmarrje https://www.hero-tech.net/balkansgroup/grate-ne-politike-pabarazia-gjinore-ne-politike-dhe-vendimmarrje-4/
[7] Ibid.
[8] Gratë në vendimmarrje në institucionet politike në Kosovë - INDEP - Mars, 2019
[9] https://www.heredia.go.cr/en/social-wellness/office-of-gender
[10] “Burri me i mire per punen” ne “Gruan me te mire per punen”.
[11] Eleanor Roosevelt



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

[custom-twitter-feeds feed=1]